Shkolla Verore 2025

Universiteti i Tiranës ka zhvilluar Shkollën Verore 2025 në kuadër të projektit: “Rritja e Ndërgjegjësimit mbi Flukset e Paligjshme Financiare përmes Arsimit”, i cili realizohet në kuadër të Programeve Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian .

Shkolla Verore 2025 u organizua në formën e një aktiviteti 3-ditor me pjesëmarrjen e një grupi prej 28 pjesëmarrësish nga Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Fakulteti i Drejtësisë. Aktiviteti u zhvillua gjatë periudhës 8-10 Maj 2025 dhe u mbajt në Sallën e Doktoraturës pranë Fakultetit të Drejtësisë.

  • Dita I – “Krimi Ekonomik dhe Financiar – Roli i Arsimit në Parandalimin e Flukseve të Paligjshme Financiare”,

Dita e parë e Shkollës Verore u hap me një leksion tematik të mbajtur nga Prof. Assoc. Dr. Bernard Dosti, i cili u fokusua në temën gjithnjë e më shqetësuese të krimit ekonomik dhe financiar – një dukuri që ka marrë përmasa globale dhe po përbën një sfidë serioze për ekonomitë dhe sistemet ligjore anembanë botës.

Lektori ndau me pjesëmarrësit një panoramë të qartë mbi format e ndryshme të krimit financiar, mënyrat se si ai zhvillohet, sofistikohet dhe ndërvepron me sistemet ekonomike dhe institucionale, si dhe mekanizmat ekzistues për kontrollin dhe parandalimin e tij. Ai vuri theksin te sfidat që paraqesin kushtet aktuale, përfshirë zhvillimet teknologjike, globalizimin financiar dhe mungesën e kapaciteteve institucionale në vendet në zhvillim.

Në vijim të ligjëratës, Prof. Dosti theksoi rolin kyç që ka arsimi në ndërprerjen e ciklit të krimit të organizuar financiar, duke argumentuar se rritja e ndërgjegjësimit qytetar dhe profesionalizimi i brezave të rinj përmes arsimit cilësor janë ndër mjetet më të fuqishme për të ulur nivelet e përhapjes së flukseve të paligjshme financiare. Ai sqaroi se edukimi, veçanërisht në fushat e ekonomisë, drejtësisë dhe administrimit publik, mund të shërbejë si një kanal efektiv për formimin e qëndrimeve etike dhe ndërtimin e një kulture llogaridhënieje.

Ky leksion vuri themelet për një diskutim të thelluar dhe ndërdisiplinor mbi sfidat e qeverisjes ekonomike dhe nevojën për një qasje të integruar nëpërmjet edukimit, politikave publike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Dita II – “Korrupsioni dhe Flukset e Paligjshme Financiare – Roli i Institucioneve Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Parandalimin e Tyre”

Gjatë ditës së dytë të Shkollës Verore, leksioni u mbajt nga Dr. Ardita Lafe, e cila trajtoi një ndër temat më delikate dhe aktuale të qeverisjes publike dhe financiare: lidhjen midis korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare (IFFs).

Nëpërmjet një analize të qartë dhe të argumentuar, lektorja shpjegoi se korrupsioni shërben shpesh si një katalizator dhe mekanizëm nxitës për krijimin dhe fshehjen e flukseve të paligjshme financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në dëm të integritetit të institucioneve publike, drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Ajo theksoi se përmasat e këtij fenomeni nuk kufizohen vetëm në nivelin kombëtar, por shpesh ndërthuren me rrjete të ndërlikuara transnacionale, që e bëjnë edhe më të vështirë zbulimin dhe ndëshkimin e tij.

Një pjesë e rëndësishme e leksionit iu kushtua institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare, duke filluar nga strukturat kombëtare, si prokuroritë, njësitë e inteligjencës financiare, autoritetet tatimore dhe ato të auditimit, e deri te organizatat ndërkombëtare. Dr. Lafe solli shembuj konkretë të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe theksoi rëndësinë e harmonizimit të kuadrit ligjor dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për të garantuar efektivitet në luftën kundër këtij fenomeni.

Në përmbyllje, lektorja e ftuar theksoi se rritja e transparencës, përmirësimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe angazhimi i qytetarëve dhe shoqërisë civile janë elementë kyç për të ndërtuar një sistem më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të rezistueshëm ndaj korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare. Ky diskutim shërbeu si një shtysë për reflektim kritik dhe për nxitjen e debatit ndërmjet pjesëmarrësve mbi rolin që secili aktor ka në ndërtimin e një sistemi të fortë të qeverisjes dhe integritetit publik.

  • Dita III – “Mashtrimi në Transaksionet Tregtare Ndërkombëtare – Dinamika, Mekanizmat dhe Roli i Aktorëve Globalë”

Në ditën e fundit të Shkollës Verore, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin një leksion të thelluar nga Dr. Ramandeep Chhina, e cila trajtoi një aspekt tejet të ndërlikuar dhe sfidues të ekonomisë globale: mashtrimi në transaksionet tregtare ndërkombëtare.

Lektorja analizoi me profesionalizëm të lartë format më të zakonshme të mashtrimeve në tregtinë ndërkombëtare, përfshirë manipulimin me dokumentacionin tregtar, përdorimin e faturave të falsifikuara, evazionin fiskal përmes transferimit të çmimeve, përdorimin e kompanive guackë dhe praktikat e pastrimit të parave nëpërmjet kanaleve të ligjshme tregtare. Ajo theksoi se këto forma mashtrimi jo vetëm që dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zinxhirit të furnizimit global, por gjithashtu kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e flukseve të paligjshme financiare.

Një tjetër element i rëndësishëm i leksionit ishte eksplorimi i boshllëqeve ligjore dhe rregullatore që lejojnë kryerjen e këtyre mashtrimeve, si dhe analiza e mospërputhjeve midis sistemeve doganore dhe fiskale të vendeve të ndryshme. Dr. Chhina theksoi se pikërisht këto boshllëqe përbëjnë terren të favorshëm për aktorë të pandershëm dhe për rrjete kriminale të organizuara me shtrirje ndërkombëtare.

Lektorja gjithashtu nënvizoi rolin strategjik i institucioneve ndërkombëtare si Organizata Botërore e Doganave (WCO), Interpol, OECD dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO) në hartimin e standardeve, rritjen e transparencës dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar për të luftuar mashtrimet në tregti. Ajo solli në vëmendje praktika të mira ndërkombëtare dhe përvoja konkrete nga vendet që kanë zhvilluar sisteme efikase të kontrollit dhe gjurmimit të transaksioneve, përmes teknologjive të reja dhe digjitalizimit të proceseve doganore.

Në përmbyllje, Dr. Chhina theksoi se edukimi dhe ndërgjegjësimi i aktorëve të zinxhirit tregtar, nga bizneset e vogla deri te korporatat shumëkombëshe, përbën një hallkë të domosdoshme në parandalimin e mashtrimeve, ndërsa forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mbetet çelësi për një tregti globale më të sigurt, më të ndershme dhe më transparente. Ky sesion përmbyllës shërbeu si një pasqyrë e gjerë mbi sfidat e ndërlidhura të ekonomisë ndërkombëtare dhe u bë nxitje për reflektim e debat të vlefshëm ndërmjet pjesëmarrësve.

Pjesë thelbësore e Shkollës Verore ishin diskutimet interaktive ndërmjet pjesëmarrësve, të cilat kontribuan ndjeshëm në thellimin e kuptimit mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me redukimin e flukseve të paligjshme financiare. Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit nga Prof. Assoc. Bernard Dosti.

Artikujt e fundit