SHKOLLA VERORE
15-17 Maj 2024
Universiteti i Tiranës ka zhvilluar Shkollën Verore 2024 në kuadër të projektit: “Rritja e Ndërgjegjësimit mbi Flukset e Paligjshme Financiare përmes Arsimit”, i cili realizohet në kuadër të Programeve Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian .
Shkolla Verore 2024 u organizua në formën e një aktiviteti 3-ditor me pjesëmarrjen e një grupi prej 31 pjesëmarrësish nga Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Fakulteti i Drejtësisë. Aktiviteti u zhvillua gjatë periudhës 15-17 Maj 2024 dhe u mbajt në Sallën e Doktoraturës pranë Fakultetit të Drejtësisë.
Dita e parë e Shkollës Verore u mbajt nga Prof. Assoc. Ervin Karamuço, i cili foli mbi rëndësinë e luftës kundër pastrimit të parave në Shqipëri dhe për legjislacionin ndërkombëtar për flukset e paligjshme financiare dhe situatën e tyre në Shqipëri.
Gjatë ditës së dytë të aktivitetit e ftuar në rolin e lektores ishte Dr. Ardita Lafe, e cila trajtoi lidhjen midis korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare, si dhe institucionet përgjegjëse në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në ditën e fundit të Shkollës verore, Lektore e ftuar ishe Dr. Ramandeep Chhina, e diplomuar për Master dhe Doktoraturë në Drejtësi nga Universiteti i Oksfordit, duke analizuar çështjen e mashtrimit në transaksionet tregtare ndërkombëtare.
Pjesë e rëndësishme gjatë Shkollës Verore ishin diskutimet interaktive ndërmjet pjesëmarrësve mbi mënyrat se si mund të rritet ndërgjegjësimi për reduktimin e flukseve të paligjshme financiare. Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit nga Prof. Assoc. Bernard Dosti.
