Universiteti i Tiranës ka zhvilluar Workshop-in dy-ditor në Fakultetin e Drejtësisë me temën “Kuptimi dhe Luftimi i Flukseve Financiare të Paligjshme: Nga Sfidat Kombëtare te Standardet e BE-së” përkatësisht me Lektorët Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Prof. Assoc. Dr. Ervin Karamuço.
Aktiviteti u zhvilluan në kuadër të projektit: “Rritja e Ndërgjegjësimit mbi Flukset e Paligjshme Financiare përmes Arsimit”, i cili realizohet në kuadër të Programeve Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Workshop-i u organizua më datë 22-23 Maj 2025 me pjesëmarrjen e 27 studentëve nga Fakulteti i Ekonomisë dhe nga Fakulteti i Drejtësisë.
Dita I – “Roli i Flukseve Financiare të Paligjshme në Proceset Ekonomike dhe Integruese të Shqipërisë”
Dita e parë e Workshop-it u mbajt nga Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili ofroi një qasje gjithëpërfshirëse dhe analitike mbi një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot ekonomia shqiptare. Profesori nisi aktivitetin me një sqarim të detajuar të nocioneve themelore që lidhen me flukset financiare të paligjshme (IFFs), duke shpjeguar natyrën e tyre, burimet kryesore, dhe mënyrat e qarkullimit të tyre në sistemin financiar. Ai theksoi se këto flukse nuk janë vetëm një problem teknik apo fiskal, por një çështje me pasoja të thella strukturore, që minojnë transparencën, konkurrencën dhe stabilitetin ekonomik.
Një fokus i veçantë iu kushtua analizës së faktorëve që i nxisin flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, duke përfshirë dobësitë në administratën tatimore dhe doganore, mangësitë në sistemin bankar dhe mungesën e kapaciteteve në institucionet e zbatimit të ligjit. Profesori Hoxha shpjegoi se pasojat e këtyre flukseve janë shumëdimensionale – ato pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, zvogëlojnë besimin e investitorëve dhe kontribuojnë në rritjen e pabarazisë sociale.
Në pjesën e dytë të ditës, vëmendja u përqendrua në ndikimin që kanë flukset financiare të paligjshme mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Prof. Hoxha nënvizoi se adresimi efektiv i këtij fenomeni përbën një nga kërkesat kyçe të Bashkimit Evropian në kuadër të kapitujve të negociatave për anëtarësim, veçanërisht në fushat që lidhen me sundimin e ligjit, transparencën fiskale dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, pa një angazhim serioz institucional për të frenuar këto flukse, procesi i integrimit do të përballet me pengesa të konsiderueshme. Workshop-i përfundoi me theksimin e nevojës për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe për një ndërgjegjësim më të madh shoqëror mbi rreziqet që sjellin flukset financiare të paligjshme për të ardhmen e vendit.
Dita II – “Pastrimi i Parave dhe Flukset Financiare të Paligjshme në Shqipëri: Legjislacioni Ndërkombëtar dhe Zbatimi Vendor”
Dita e dytë e Workshop-it u mbajt nga Prof. Assoc. Dr. Ervin Karamuço, i cili ofroi një analizë të thelluar mbi rëndësinë strategjike të luftës kundër pastrimit të parave në kontekstin shqiptar. Profesori theksoi se fenomeni i pastrimit të parave përbën një kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik, rendin juridik dhe integritetin institucional të vendit. Gjatë aktivitetit u trajtuan mekanizmat dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë, përfshirë direktivat e Bashkimit Evropian, rekomandimet e FATF (Financial Action Task Force), si dhe marrëveshjet dhe standardet që Shqipëria është zotuar të respektojë.
Një pjesë e rëndësishme e workshop-it I’u kushtua analizës së kuadrit ligjor shqiptar dhe efektivitetit të tij në identifikimin, parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarive që lidhen me flukset financiare të paligjshme. Prof. Karamuço solli në vëmendje rastet konkrete, vështirësitë institucionale, nevojën për rritjen e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Ai theksoi gjithashtu se përparimi në këtë drejtim është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e ekonomisë nga deformimet kriminale, por edhe për përmbushjen e kritereve të domosdoshme në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë këtij workshop-i me përmbajtje ndërdisiplinore dhe të orientuar drejt ndërgjegjësimit dhe forcimit të kapaciteteve për luftën kundër flukseve financiare të paligjshme, pjesëmarrësit shkëmbyen ide, përvoja dhe rekomandime konkrete mbi mënyrat efektive për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe institucional. Diskutimet u zhvilluan në formë grupore dhe plenare, duke mundësuar një qasje ndërdisiplinore dhe gjithëpërfshirëse.