Universiteti i Tiranës ka zhvilluar 4 Leksione të Hapura në Fakultetin e Ekonomisë dhe në Fakultetin e Drejtësisë. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit: “Rritja e Ndërgjegjësimit mbi Flukset e Paligjshme Financiare përmes Arsimit”, i cili realizohet në kuadër të Programeve Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
- Leksionet e Hapura në Fakultetin e Drejtësisë u zhvilluan më datë 9 dhe 10 Qershor 2025, ku Lektorë ishin Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Prof. Assoc. Dr. Ervin Karamuço, me pjesëmarrjen e 27 dhe 28 studentëve përkatëisht në çdo leksion.
Leksioni i Prof. Dr. Artan Hoxha me temë “Roli i Flukseve Financiare të Paligjshme në Proceset Ekonomike dhe Integruese të Shqipërisë” pati në qendër jo vetëm trajtimin e koncepteve kryesore që lidhen me flukset financiare të paligjshme, por theksoi në mënyrë të veçantë ndikimin e tyre në ekonominë kombëtare. U analizuan faktorët që nxisin këto flukse dhe pasojat që ato sjellin për zhvillimin ekonomik të vendit. Një pjesë thelbësore e diskutimit iu kushtua ndikimit që kanë flukset financiare të paligjshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një synim strategjik i vendit ndër vite.
Leksioni i Prof. Assoc. Dr. Ervin Karamuço, me temë “Pastrimi i Parave dhe Flukset Financiare të Paligjshme në Shqipëri: Legjislacioni Ndërkombëtar dhe Zbatimi Vendor”, ofroi një analizë të thelluar mbi rëndësinë e luftës kundër pastrimit të parave si një kërcënim serioz për ekonominë dhe institucionet shqiptare. Profesori trajtoi kuadrin ligjor ndërkombëtar dhe kombëtar, duke përfshirë direktivat e BE-së, rekomandimet e FATF-it dhe standardet që Shqipëria ka marrë përsipër të zbatojë. Ai theksoi vështirësitë praktike në zbatimin e ligjit, nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke nënvizuar se përparimi në këtë drejtim është thelbësor për suksesin e integrimit evropian të vendit.
- Leksionet e Hapura në Fakultetin e Ekonomisë u zhvilluan më datë 11 dhe 12 Qershor 2025, ku Lektorë ishin Dr. Ardita Lafe dhe Dr. Ramandeep Chhina, me pjesëmarrjen e 19 dhe 23 studentëve përkatëisht në çdo leksion.
Leksioni i Dr. Ardita Lafe me temë “Flukset e Paligjshme Financiare dhe Roli i Tyre në Zhvillim” u fokusua në analizën e lidhjes komplekse midis flukseve financiare të paligjshme dhe zhvillimit ekonomik të një vendi. Dr. Lafe theksoi se këto flukse përbëjnë një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm, pasi kufizojnë burimet publike, nxisin pabarazinë dhe minojnë besimin në institucionet shtetërore. Gjatë leksionit, Dr. Lafe trajtoi edhe rolin që luan korrupsioni në krijimin dhe përhapjen e këtyre flukseve, si dhe rëndësinë e funksionimit efektiv të institucioneve kombëtare dhe bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare në identifikimin, parandalimin dhe ndëshkimin e tyre. Diskutimi u shoqërua me raste konkrete dhe u theksua nevoja për reforma të thella në drejtim të transparencës dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Leksioni i Dr. Ramandeep Chhina me temë “Transparenca dhe Roli i Pronarit Përfitues në Flukset e Paligjshme Financiare” u në rëndësinë thelbësore që ka identifikimi i pronarit përfitues në luftën kundër flukseve financiare të paligjshme. Dr. Chhina theksoi se mungesa e transparencës mbi identitetin e pronarëve përfitues të kompanive apo entiteteve juridike krijon hapësira për pastrimin e parave, shmangien e taksave dhe financimin e aktiviteteve kriminale. Gjatë leksionit u trajtuan standardet ndërkombëtare në këtë fushë, përfshirë rekomandimet e FATF-it, si dhe rëndësia e regjistrave publikë dhe funksionalë për të rritur llogaridhënien dhe parandalimin e abuzimeve financiare. Diskutimi theksoi gjithashtu sfidat që hasin vendet në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, në zbatimin e mekanizmave efektivë të transparencës dhe kontrollit mbi pronësinë përfituesve.
Studentët e të dy fakulteteve i kanë vlerësuar Leksionet e Hapura si tepër tërheqëse dhe të dobishme, jo vetëm për atë që ofruan mbi natyrën e flukseve financiare të paligjshme dhe lidhjen e tyre me faktorë të ndryshëm ekonomikë e institucionalë, por edhe për relevancën që kjo tematikë ka në kontekstin aktual rajonal dhe global. Aktivitetet u përmbyllën me diskutime të gjalla dhe ndërveprim të frytshëm mes lektorëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës, duke i dhënë një dimension praktik dhe reflektues leksioneve të zhvilluara.